Kryetari i PD: Për Bashën ka akuza të tjera përveç parave ruse, Alibeaj me vëlla të dënuar
Pak ditë pasi Lulzim Basha deklaroi se do të dalë të bëjë fushatë për zgjedhjet e 14 Majit në të gjithë Shqipërinë kryedemokrati Sali Berisha e akuzoi atë si përçarës të PD dhe si të marrë peng nga kryeministri Edi Rama. Ai thotë se përveç parave ruse, ndaj Bashës ka dhe akuza të tjera.
“Lulzim Basha është i marrur peng me dosjen e larjes së parave prej 700 mijë dollarësh. Lulzim Basha është skllav, edhe i aferave të tij. Zinxhiri i aferave të skllavërisë së tij është i gjatë.”
Akuza të forta pati dhe për Enkelejd Alibeajn.
“Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, i cili është arrestuar për rrëmbim me armë në vendet e Bashkimit Evropian dhe sot s’dihet se ku është. Nuk tregon se ku është, ndan të fshehtat me Edi Ramën. Për këto rekorde kriminale ai mund të mos ishte kurrë deputet.”
Vlerësoi tërheqjen e kandidatëve për kryetar bashkie të Alibeajt nga zgjedhjet lokale.
“Unë i përgëzoj të gjithë ata që u larguan, geni i tyre për pluralizmin i shtyu të largohen prej këtij aventurieri, të papërgjegjshmi. Të dyve!”
Pasdite Berisha prezantoi kandidatin e koalicionit opozitar “Bashke Fitojmë” për kryebashkiak në Vaun e Dejës Zef Hilën. Ai ju bëri thirrje demokratëve që janë në rrugë të gabuar të reflektojnë.
“E pafalshme në një moment historik për vendin, në një moment kritik për demokracinë shqiptare që një demokrat të çojë ujë në mullirin e Edi Ramës. Që të bëhet një patericë e atij regjimi që po shkreton Shqipërinë çdo ditë. Ndaj dhe ftoj përsëri çdo demokrat në Vaun e Dejës dhe kudo, të mendojnë. Prapë të mendojnë!”
Berisha e sfidoi Prokurorinë duke i ofruar që ditën e Hëne dokumenta per vjedhjet me djegesat.
“Çfarë shteti është ky?! Dokumentet dihen, po atë pronarin e vërtetë nuk e prek dot me dorë zoti prokuror. Dokumentat i ka Erion Veliaj, i ka Edi Rama. I ka dhe Sali Berisha, e po të duash ditën e Hënë do t’i nis në Prokurori. T’i nis unë, po ti nuk i hap dot ato, sepse sipërmarrja është e Edi Ramës. Sipërmarrja është e Erion Velisë, se ata vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin aty.”
Edhe në Vaun e Dejës, Berisha foli për largimin nga Shqipëria te 35 përqind të popullsisë në vitet e qeverisjes së Edi Ramës.
Klan News