Brenda një mandati qeverisës, kryedemokrati, Sali Berisha thotë se PD do të ulë taksat, do të rris të ardhurat për qytetarët si dhe do të rris prodhimin vendas.
Plani ekonomik i PD konsiston edhe në katër zona të lira ekonomike, të cilat do të krijojnë vende të reja pune.
“Ulje nga 15 në 2 për qind të taksës së shitjes së pronës. “Made in Albania”, shtyllë e cila ka qëllime kryesore, prodhimin, prodhimin, prodhimin që do të thotë punësim, punësim, punësim për shqiptarët”, tha Sali Berisha.
Heqja e taksës te karburantet përfshihet gjithashtu në programin elektoral të PD.
“Bie taksa “Rama” e karburantit dhe karburantet nuk do të shiten në Shqipëri me një çmim që ndryshon plus minus dhjetë për qind nga ai i Kosovës dhe Maqedonisë”, u shpreh kryedemokrati.
PD zotohet se gjatë katër viteve do t’i japë zgjidhje edhe problemit të pronave.
“Zotimi im solemn është brenda mandatit të 2025-2029, çështja e pronave merr përgjigje absolute përfundimtare”, tha Berisha.
Akuzat nuk i kursen ndaj Kryeministrit Edi Rama.
“Nuk e ka për gjë të tallet dhe me ata që s’kanë dhe ia verbon sytë luksi në të cilin jeton. Kopshti Edenit, shishja 36 mijë Euro, avion privat si sulltan”, u shpreh kreu i demokratëve.
Thotë se për lëvizjet elektorale, PD koordinohet me drejtuesin e fushatës Chris LaCivita, të cilin e cilëson si një marshall.
“Unë jam në komunikim të vazhdueshëm. Nuk është oficer fushe, ai është marshall. E kupton vetë tani, ai nuk është oficer fushe, është marshall”, përfundoi Berisha.
Të gjithë kandidatëve për deputetë dhe eksponentëve të tjerë të PD u është lënë porosi që t’u shpjegojnë me detaje planin ekonomik të PD para nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 Majit.
Klan News