Ish-Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Në një postim në rrjetet sociale, Berisha thotë se rekomandimi për hapjen e negociatave u dha për arsye gjeopolitike dhe në funksion të paqes në rajonin e Ballkanit.
Berisha u ka bërë thirrje gjithashtu vendeve të Bashkimit Europian që në Qershor të votojnë rekomandimin e KE për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“Të dashur miq, sot, në raportin e tij për Shqipërinë, Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit Europian parësisht për arsye gjeostrategjike dhe të paqes në rajon, siç deklaroi në Parlamentin Europian presidenti i këtij Komisioni Jean Claude Juncker, hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Komisioni Europian me këtë vendim të drejtë ka shprehur gjithashtu dashamirësinë dhe respektin e tij për kombin shqiptar, përpjekjet dhe aspiratat tona për t’u integruar në Bashkimin Europian si e ardhmja jonë më e mirë. Prandaj ju ftoj të dashur miq, t’i shprehim mirënjohjen tonë të thellë Komisionit Europian për vendimin e tij të sotëm dhe le t’iu bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE ta miratojnë këtë vendim shumë të rëndësishëm për perspektivën europiane të kombit shqiptar”,
thotë Berisha.
Megjithatë, ish-Kryeministri ka bërë akuza ndaj Qeverisë Rama për disa çështje.
“Gjithashtu ju ftoj të dënojmë me ashpërsinë më të madhe narkoqeverinë e Edvin Kristaq Ramës që ka instaluar:
– narkoshtetin, në të cilin Kryeministri, vëllai Olsi, ministrat janë baronët kryesorë të drogës, dhe ka
– shndërruar Shqipërinë në Kolumbinë e Europës,
– vendin, sipas DASH qendër operacionale rajonale të krimit të organizuar
-vendin e eksodit masiv, qytetarët e të cilit renditen të parët në Europë për kërkesat për azil politik dhe herë-herë në Gjermani dhe Francë zënë vendin e parë në botë për këto kërkesa.
-vendin e të rrëmbyerve dhe burgosurve politikë,
-vendin në të cilin kreu i ekzekutivit është njëkohësisht kryegjykatësi dhe kryeprokurori i vendit dhe bën gjahun e shtrigave ndaj opozitës dhe kundërshtarëve politikë dhe mbron kriminelët e qeveritarët e saj e sorollopin e tyre
-vendin ku lidhjet me trafikantë, vrasës dhe banditë janë kriter për t’u bërë ministër, mbiministër, gjykatës, prokuror, zyrtar i lartë i të gjitha niveleve.
-vendin në të cilin në 4 vitet e fundit, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit janë vjedhur në tendera dhe koncesione 3.2 miliardë Euro”
, deklaron ish-Kryeministri Berisha. /
tvklan.al