“Rama, Kryeministri i korruptuar brenda dhe jashtë Shqipërisë”

Lideri i opozites Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin e përnatshëm qytetar tek banesa e tij, u shpreh se Shqipëria nuk do të jetë kurrë pa opozitë.

Sipas tij, guximi i qytetarëve për të protestuar, i jep shpresë mbarë shqiptarëve kudo që janë.

“Ju jeni shumica sepse duhet një shesh për t’u përballur për një kauzë të drejtë. Duhet një shesh për t’i dalë zot Shqipërisë, për t’u dalë zot të drejtave të qytetarëve shqiptarë. Duhet një shesh për t’u thënë shqiptarëve se Shqipëria nuk do jetë kurrë pa opozitë. Se ëndrra e Edi Ramës për një Shqipëri pa opozitë, do bëhet pluhur nga ju”.

Kreu i opozitës e akuzoi Kryeministrin Rama si të korruptuar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Edi Rama po përpëlitet. Emri të doli në Uashington si njeriu më i korruptuar në hapësirën euroatlantike. Emri do të dalë dhe të del edhe për pabesitë e tjera kriminale, shitjen e të dhënave sekrete të TIMS armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s. Edi Rama, emri të del dhe do të dalë në aferat e tmerrshme shumëmiliardëshe, por dije mirë se fundin tënd do ta firmosin shqiptarët, do ta firmosin misionarët e kësaj rruge nën ballkon”.

Kërkoi qëndresë nga të gjithë qytetarët për të ndryshuar realitetin dhe hapur rrugë ndërtimit të ëndrrave të tyre në Shqipëri.

Klan News