“SPAK, bandë kriminale. Shkelmon Kushtetutën me urdhër politik”

Vendimin e Gjykatës së Posaçme e Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj tij për detyrim paraqitjeje dhe bllokim të pasaportës që e ndalon të largohet jashtë vendit, Sali Berisha e cilësoi trakt të shkruar në zyrën e Kryeministrit Rama.

Nga selia blu, Berisha lëshoi lum akuzash në adresë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të Spakut, duke i cilësuar ata bandë kriminale të vënë në shërbim politik të Edi Ramës.

“për bastardin e xhelatit Kristaq Rama dhe grupin e tij të strukturuar kriminal, banorë të fermës së Oruellit, liria e lëvizjes nuk përbën liri dhe ndalimi i saj nuk përbën formë heqje lirie. Edi Rama dhe kafshët e tij të fermës oruelliane, larot Gjoka, Kraja, Mellonai, kanë lexuar Kushtetutën dhe nenet e saj, por ata në hakmarrje të verbër politike, e injorojnë dhe e shkelmojnë atë.”

Sërish refuzoi ta njohë vendimin e GJKKO-së, duke thënë se do të respektojë vetëm ligjin themeltar të shtetit, që sipas ish-Kryeministrit sanksionon se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë vendit.

“Heqja apo kufizimi kund të bëhet për rastin e deputetit, vetëm me autorizimin e parlamentit. Kushtetuta në nenin 38, pika 2, sanksionon se askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shtetit.”

Krahas kushtetutës së Shqipërisë, ish-Kryeministri u shpreh se kjo e drejtë përbën një nga liritë më kryesore të individit dhe garantohet në aktet më themelore, kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është Deklarata Universale të të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Traktati Bazë i BE-së.

Tv Klan