Pavarësisht se e shtuna është shpallur ditë zie kombëtare nga qeveria pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Sali Berisha do të vijojë takimet e tij elektorale, por duke respektuar disa rregulla të mortit.
“S’do ketë muzikë dhe do nderohet shenjtërimi i tij në çdo takim me një minut heshtje”, tha Berisha.
Në këtë dalje preferoi që flasë si mjek kur u pyet për fushatën e Edi Ramës, duke përcaktuar edhe diagnozën e tij.
“Me elemente nga përroi i tij frojdian, është një sfaçiato me banalitetet. Përgjigjen do ja japin gratë e vajzat në 11 maj. Po shkon drejt gropës që i ka bërë vetes”, tha Berisha.
Nën akuzë vuri sërish Kryeministrin për presion ndaj administratës, ndërsa këta të fundit i qetësoi se do mbrohen me ligj.
“Ata janë në presion të madh nga drejtorët patronazhistë dhe unë e dënoj këtë klimë terrori, ata që zbatojnë ligjin janë pasuri kombëtare”, tha Berisha.
Referimin në SPAK të Xhelal Mziut dhe nipit të tij që dyshohen se kanë goditur një zyrtar lokal në Bulqizë, pas një takimi elektoral, Berisha e sheh si një provokim.
“Kurth dhe provokacion pasi shohin se nuk po ngjisin kërrkund”, tha Berisha.
Dhe sa për starin e kësaj fushate ka edhe një emër.
“Vrenozi është stari i kësaj fushate, Ramën e poshtëroi”, tha Berisha.
Ndërsa më herët në një takim që zhvilloi me studentët e mjekësisë, Berisha akuzoi qeverinë se e ka kthyer këtë sektor në vitet ’60. Kryedemokrati premtoi anulim të ligjit që i detyron studentët të punojnë 3 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve.
“Ligj antikushtetues, ai ligj do anulohet. S’mund të ketë ligj që tu detyrojë juve të riktheni”, tha Berisha.
Berisha u zotua për rritje pagash për bluzat e bardha, si dhe premtoi dhe hapjen e një universiteti të dytë për mjekësinë.
Tv Klan