Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh gjatë Këshillit Kombëtar se “Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë” do të zgjerohet. Ai theksoi se do të bashkëpunohet ngushtësisht me Partinë e Lirisë dhe çdo parti tjetër që është e vendosur të angazhohet në lëvizjen në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve.

“Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do të zgjerohet me sindikatat, do të zgjerohet me forca të tjera politike. Do të bashkëpunohet ngushtësisht me Partinë e Lirisë dhe çdo parti tjetër që është e vendosur të angazhohet në një lëvizje në mbrojtje të interesit kombëtar të shqiptarëve, në mbrojtje të interesave të demokracisë shqiptare. Nuk ka mision më motivues se sa ky. Unë kam besim të madh se nga kjo mbledhje ne do arrijmë të shpërndajmë në mbarë vendin në një situatë të elektrizuar nga pakënaqësia e madhe ndaj kësaj qeverie”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës kjo vjeshtë duhet të jetë vjeshta e protestave.

“Ndaj dhe kjo vjeshtë duhet të jetë vjeshta e protestave ose “pranvera e demokracisë” kjo vjeshtë. Njerëzit janë të gatshëm, presin vetëm mobilizim. Ata mobilizohen kur të besojnë se ne e kemi me seriozitetin më të madh këtë betejë. Kur të binden se ne do i shkojmë deri në fund misionit tonë”, theksoi ai.

Ai nënvizoi para anëtarëve të Këshillit Kombëtar se çdo demokrat duhet të bëjë gjithçka për të mobilizuar PD. Sipas tij duhet kaluar në “forma të shumëllojta qëndrese, revolte dhe kryengritjeje paqësore”.

“Ndaj dhe çdo demokrat, çdo drejtues duhet të bëjë gjithçka për të motivuar, për të mobilizuar Partinë Demokratike në radhë të parë e cila duhet të ngrihet në nivelin e temperaturave të larta që ekzistojnë tek qytetarët, urrejtjes së madhe që kanë qytetarët dhe pakënaqësisë ndaj qeverisë. Duhet të kalojmë në forma të shumëllojta qëndrese, revolte, kryengritje paqësore. Si ka mundësi të vazhdohet në këtë mënyrë u mësuesit shqiptarë janë mësuesit më të keqtrajtuar. Janë mësues që mezi përballojnë jetën. Shohin sistemin që u rrënohet para syve të tyre, shkollat që mbyllen, portali një maskë mashtrimi për ta, rrogat jo që nuk rriten, por me inflacionin ulen. Atëherë a do mbeten këta të vetmit mësues që nuk grevojnë. Duhet të angazhohemi në një diskutim të hapur me ta kudo që janë. Greva, greva dhe vetëm greva është përgjigja ndaj kësaj qeverie”, u shpreh Berisha./tvklan.al