Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh të mërkurën se vota e diasporës është manipuluar. Ai nënvizoi në një deklaratë për mediat se kjo nuk ka ndodhur vetëm me zarfat e ardhura nga Greqia, por edhe ato nga Italia.
“Kjo votë ka pësuar manipulimin më masiv, më të paskrupullt, më të hapur. Mishmashi që shpalli Edi Rama me votat e diasporës në Greqi është akti më kriminal i manipulimit të votave ndonjëherë. Por theksoj se ky mishmash, sipas të dhënave tona, nuk ka ndodhur vetëm në Greqi, ka ndodhur edhe në Itali dhe ndonjë vend tjetër”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, për t’u realizuar kjo skemë, kompania e kontraktuar për këtë proces, DHL-ja, ka shkelur kontratën dhe ka kontraktuar nënkrontraktorë të tjerë. Këta të fundit, Berisha i akuzon se kanë bashkëpunuar me Partinë Socialiste. Përpara gazetarëve doli edhe me disa shembuj.
“Kemi sjellë disa shembuj, kur zarfa të numëruara janë 12990 kurse të dërguara janë 11872 zarfe. Kjo sepse ata që kanë plotësuar zarfat nuk kanë patur të ndalur, kanë tejkaluar edhe shifrat, edhe këtë të dhënë. Në Dibër nga 7773 zarfa të numëruar janë dërguar 7547. Edhe këtu janë shtuar mbi 200 zarfa në plotësim e sipër të ndihmojmë partinë”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati u shpreh beteja për votën e lirë “është në vazhdim dhe është betejë pa kthim”.
“Të gjitha vendimet do merren në vazhdim, por zgjedhjet ne nuk mund t’i pranojmë, sepse ne nuk mund të pranojë zgjedhje të tilla. Zgjedhje të tilla nuk mund t’i pranojmë kurrë dhe nuk mund të na imponojë ne kush që t’i pranojmë këto zgjedhje”, u shpreh Berisha./tvklan.al