“Vuçiç të dërgohet në Hagë për krime kundër njerëzimit”

Ish-Kryeministri Sali Berisha e cilësoi vrasjen e efektivi të forcave policore të Kosovës dhe plagosjen e tre të tjerëve skenar të Kremlinit, me qëllim fillimin e një kryengritje të armatosur për të hapur një konflikt të ri në rajon.

“Ishte fillimi i kryengritjes së armatosur, të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon. Shënonte fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini.”

Sipas Berishës kushti për paqe dhe bashkëpunim në rajon është dorëzimi i Presidentit Aleksandër Vuçiç në Gjykatën e Hagës.

“PD i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dorëzojë sa më parë Vuçiçin në Gjykatën e Hagës për pjesëmarrjen e tij thelbësore në gjenocid dhe krime shfarosëse kundër njerëzimit të kryer nga Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve pak vite më parë.”

Pa komentuar nuk la edhe qëndrimin e Kryeministrit Rama për ngjarjen.

“Nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në krye të detyrës, sikur në Banjskë po ndodhte një përleshje mes bandash dhe banditësh. Së dyti, përsëriti kërkesën e Beogradit për konferencë ndërkombëtare për të zhbërë arritjet 23-vjeçare të Kosovës, kërkesë kjo e Serbisë.”

Berisha tha se Partia Demokratike mbështet të drejtën e autoriteteve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.

Tv Klan