Nga Selaniku, kryetari i PD, Sali Berisha kërkoi votën e diasporës për zgjedhjet e 11 Majit, si një mundësi për rrëzimin e qeverisë “Rama”. Kryedemokrati tha vota e tyre do të ndalojë procesin e largimit të qytetarëve nga vendi për shkak të varfërisë.
“Ndaj dhe, jam këtu për t’u ftuar ju, çdo emigrante dhe emigrant në Greqi dhe kudo që ndodheni, planifikoni të ktheheni në Shqipëri. Investoni në Shqipëri. Ju jap fjalën se, 5 vitet e para nuk do të keni asnjë taksë. Secili nga ju, që kërkon mbështeje do ketë kredi të buta dhe grante për biznesin e tij, do ketë kredi të buta për strehimin e tij.”
Për emigrantët që do të kthehen në Shqipërisë nëse PD rikthehet në pushtet, premtoi se do të kenë zero taksa për çdo investim. Qeverinë “Rama” e akuzoi se nuk rriti pagat e pensionet për 12 vite, gjë të cilën do e bëjë PD pas 11 Majit.
Berisha thotë se për 12 vite qeveria është përfshirë në korrupsion.
“Në Shqipëri, 12 vite, nuk po ju flas se, ju e njihni se ku ishte Shqipëria e varfër. Por ama, në vitin 2013, kur u dorëzuan çelësat, shqiptarët, me ato rroga të ulëta, por ishin më të lartat në rajon, me pensione të ulëta, por ishin më të lartat në rajon.”
Dënoi gjuhën e papërshtatshme që sipas tij, po përdor kryeministri Edi Rama në takimet elektorale.
“Një fjalor i turpshëm. Një fjalor me të cilin, njëlloj si honi që kërkon të gjejë strehë. Kudo, përpiqet të gjejë strehë në banalitete për t’i shpëtuar përgjegjësisë që ka ndaj jush.”
Me Chris LaCivita në krye të fushtës së PD, Berisha shpreh bindjen për fitore.
“Ne dalim para shqiptarëve me Chris LaCivita-n, një nga kryestrategët e fitoreve në botë.”
Nuk munguan as batutat.
Kredemokrati e cilëson votën e diasporës si vendimtare për një të ardhme pa korrupsion dhe varfëri në Shqipëri.
Klan News