“Do të ndikojë performanca e fortë e turizmit”

Ekonomia e Shqipërisë do të vazhdojë performancën e saj pozitive duke arritur një rritje prej 2.5 për qind në vitin 2023 dhe për të shkuar në 3.3 për qind në vitin e ardhshëm.

Vlerësimi është bërë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka rishikuar parashikimet e saj për perspektivën e zhvillimit ekonomik të Europës, Azisë Qendrore, Kaukazit dhe Turqisë, të cilat do të kenë një rritje mesatare me 2.4 për qind.

Sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, BERZH parashikon që të ketë një rritje më të madhe se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian.

Më konkretisht në Evropën Qendrore dhe vendet baltike, ku kostot e larta për ushqimin dhe energjinë shtrënguan buxhetet e familjeve dhe aksesi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financa për investime është zvogëluar, rritja pritet të jetë mesatarisht 0.5 për qind në 2023 dhe 2.5 për qind në 2024.

Më konkretisht, BERZH vlerëson se “efekti i dobësimit të tregtisë me partnerët e Eurozonës në fillim të vitit 2023 në këtë rajon u kompensua pjesërisht nga performanca e fortë e sektorit të turizmit në ekonomitë e rajonit të bazuara në shërbime. Ndaj Produkti i Brendshëm Bruto parashikohet të rritet me 2 për qind në 2023 dhe të arrijë në 3.4 për qind në 2024”.

Pra Shqipëria do të ketë një rritje më të madhe se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas Serbinë, Bosnje Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.

Të vetmet vende që parashikohet të kenë një rritje më të madhe se Shqipëria në rajon janë Kosova dhe Mali i Zi.

Tv Klan