“Pandemia ka goditur turizmin, eksportet dhe remitancat”

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë një parashikim të zymtë për rritjen ekonomike të Shqipërisë këtë vit, duke vlerësuar se në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vendi ynë do të ketë goditjen më të madhe nga pandemia Covid-19 dhe se ekonomia kombëtare do të tkurret me -9%.

Si Shqipëria dhe Mali i Zi do të kenë humbje të mëdha për shkak të turizmit, thotë BERZH në raportin “Prespektiva e Ekonomisë Globale”.

“Shqipëria dhe Mali i Zi kanë lidhje të fortë me turizmin dhe do të ndikohen negativisht nga efekti i ndalimit të qarkullimit të njerëzve”.

Rënia e ekonomisë së Shqipërisë nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe deri në fund të vitit parashikohet të jetë në -12%, më e lartë edhe se viti 1997, por vitin 2021 BERZH pret që Shqipëria të udhëheqë rajonin sa i takon zhvillimit ekonomik, dhe të rritet me 12%. Lidhja e sektorit të fasonëve me industrinë e modës në Itali dhe reduktimi i remitancave janë dy faktorë të tjerë që do të godasin ekonominë shqiptare.

“Me të ngjarë remitancat po ashtu do të ngadalësohen këtë vit, por ekonomia do të marrë veten në vitin 2021, ndërsa procesi i rindërtimit pritet t’i japë një shtysë ekonomisë”.

Parashikimi i BERZH është më pesimisti deri tani për Shqipërinë, duke qenë se FMN ka vlerësuar se recesioni për vendin tonë do të jetë 5%, ndërsa Banka Botërore mes nivelit 5 dhe 6.9%.

Rënia me 9% është në të njëjtat norma me Italinë, e cila vuajti më gjatë krizën shëndetësore. Sipas këtyre llogarive, ekonomia jonë këtë vit do të prodhojë këtë vit 1.2 miliardë Euro më pak.

Tv Klan