13-vjeçari nga Thumana, Anteo Çupi, së bashku me mamanë e tij Mandelina ishin të ftuar këtë pasdite në programin “Rudina”, në Tv Klan. Anteo kur ka qenë vetëm 3 muajsh është diagnostikuar me paralizë celebrale inferiore, e moderuar dhe si pasojë qëndron në karrige me rrota. Nëna e tij e shoqëron të birin kudo dhe është e kujdeshme për çdo gjë që ndodh me të.

Ditëlindja e 13-të për Anteon nuk ishte e zakonshme. Ndryshe nga vitet e kaluara, ai nuk festoi në shtëpi, sepse tashmë ajo është shkatërruar si pasojë e termetit të 26 Nëntorit.

World Vision në bashkëpunim me Kryqin e Kuq kanë organizuar për të një festë surprizë. Në këtë festë kanë qenë të pranishëm rreth 50 shokë të Anteos nga Thumana, por dhe shokë të rinj të njohur në Hapësirën Miqësore për Fëmijë.

“Ditëlindjen e përjetova shumë bukur. Ishte një suprizë shumë e madhe për mua. Kur shkova u suprizova se kujtova se ishte diçka normale. Pashë gjithë shokët e mi të dikurshëm dhe të dashur“, tregoi 13-vjeçari.

Për të në studio ka një tjetër suprizë, sepse Anteo e pëlqen shumë Bes Kalllakun, por nuk e ka takuar asnjëherë. Dëshira e tij plotësohet sepse Besi vjen në studio për ta suprizuar dhe ai nuk mban dot lotët kur e shikon.

“Janë disa emocione që nuk i pret, ose tejkalojnë pritshmërinë e emocioneve. Herë mbahet vetja, herë nuk ke fuqinë ta mbash veten. Jam shumë i lumtur që e takoj sot Anteon, edhe në projektet mia të ardhshme, i premtoj publikisht që do ta bëj pjesë të një projekti tim të ardhshëm. Ose do jetë në një klip me mua, ose në filmin tim të ardhshëm do jetë Anteo. Mendoj se ky është investimi më i mirë që ta ketë të përjetshëm“, tha aktori./tvklan.al