Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime” në TV Klan ishte psikologia Besarta Taçi. Ajo gjatë kësaj jave, në një tjetër kontakt me emisionin, bëri të ditur se si shoqatë po ju vijnë në ndihmë personave që kanë nevojë për një mbështeje nga ana psikologjike.

Mirela Milori: Ka patur telefonata?

Besarta Taçi: Ju falenderoj sepse mbas emisionit tuaj, ajo që ne vumë re ishte një bum telefonatash nga një shtresë e veçantë, flasim për moshën e tretë. Pra ajo që ndodhi është që shumë pensionistë, shumë persona që ndodhen të izoluar në shtëpi, që janë rreth 75-80 vjeçarë vijuan të na kontaktonin në telefon dhe le të themi se kërkesa e tyre ishte jetësore. Sepse kërkonin ndihmë si të menaxhonin pjesën e ushqimeve, meqënëse ishin të vetmuar, meqënëse fëmijët i kishin larg ose në emigrim. Na u desh të ndërthurnim edhe marrëdhënien me shërbimin social, lindi dhe një lloj rrjeti bashkëpunimi.

Më tej, psikologia shton se për herë të parë njerëzit po vlerësojnë ndihmën e ofruar nga ana e psikologëve.

Besarta Taçi: Fatmirësisht ndoshta për herë të parë duke qenë se po ndihet kjo emergjenca, ndihet kudo kjo pandemia, personat po fillojnë dhe po vetëdijësohen edhe për figurën e psikologut, si një figurë që mund të jetë në një moment të tillë, si një figurë mbështetëse. /tvklan.al