Ai është një personalitet me rëndësi në fushën e fotografisë. Ka jetuar dhe ka parë gjatë historinë e Shqipërisë në shumë këndvështrime dhe momente të ndryshme. Përveç fotografive të bukura që ka lënë në historinë tonë, Besim Fusha ka sjellë edhe libra të autorëve të ndryshëm të fotografive. Një prej tyre është edhe ajo e tiranasit të vjetër Imer Bali, një prej fotografëve të parë të historisë së Shqipërisë.

Në kohën kur fotografia i shërbente më shumë dokumentimit se sa estetikës, Imer Bali bëri art edhe me fotot e mitingjeve. Ai krijoi një thesar të vërtetë imazhesh historike të kryeqytetit, por shumë prej tyre janë zhdukur. Por një prej fotografëve më të rëndësishëm gjatë viteve të komunizmit dhe më pas edhe në demokraci, Besim Fusha e di shumë mirë se çdo të thotë të humbasësh një fond imazhesh. Ai shkrepi foton historike të rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha dhe është autori i disa librave studimor  për fotografinë shqiptare. Dikur ai ishte infermier në ushtri, por u gjet në botën e fotografisë krejt rastësisht për shkak të një gënjeshtre të vogël që u bë e madhe.

Në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan Besim Fusha tregoi se si nisi pasioni i tij për fotografinë.

“Kisha miqësi me një gjermane dhe këmbenim letra. Aty kam parë korrektesën gjermane të çuditshme, çdo muaj më shkruante duke përcaktuar datën, ditën, madje edhe orën. Ajo më ftoi të kalonim pushimet në Gjermani. Isha adoleshent. Unë e gënjeja atë për arsyen e thjeshtë, për ti treguar Shqipërinë e bukur, i thosha që isha aktor i madh dhe se luaja role në tetar. Teatri ishte i pa ndërtuar ende, unë bëja foto sikur luaja rolet. Ato fotografi fenomenale më kanë humbur, atëherë u binda se fotografia ishte një mrekulli. Aty e ndava mendjen për fotografinë dhe gjeta një aparat sovjetik dhe nisa të bëj fotografitë e para. Shkova tek gjenerali dhe i tregova për letrën që më kishte ardhur, por ai nuk më dha leje sepse ishte koha kur po prisheshin marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik”,

tregoi fotografi Besim Fusha.

/tvklan.al