Besimtarët e krishterë, katolikë, ortodoksë e ungjillorë këtë vit e kremtojnë në të njëjtën ditë festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.

Besimtarët katolikë në Tiranë u mblodhën në Katedralen e “Shën Palit”. Në lutjen e tij përpara besimtarëve, Imzot Arjan Dodaj përcolli mesazhe për paqe e dashuri.

“Vëllezër dhe motra Krishti është ringjallur. Të ringjallim edhe ne shpresën për një të ardhme më me plot jetë, entuziazëm dhe paqe e harmoni midis nesh”, u shpreh Imzot Arjan Dodaj.

Me urimin “Krishti u ngjall”, besimtarë të shumtë ortodoksë u mblodhën në katedralen “Ngjallja e Krishtit” ku ndoqën meshën e drejtuar nga Kryepshkopi i ri Imzot Joani, i cili gjithashtu përcolli mesazhe shprese. 

“Të falim njëri-tjetrin në çdo gjë që të mund të thërrasim me një zemër të pastër ‘Krishtu i ringjall’”, u shpreh Imzot Joani

Pas kremtimit, sipas traditës, besimtarët ortodoksë morën dritën e qiririt për ta çuar atë në shtëpitë e tyre, si një simbol të ringjalljes dhe shpresës.

Në qytetin juglindor të Korçës besimtarëve të shumtë në meshën në Katedralen “Ngjallja e Krishtit iu bashkuan qindra qytetarë ardhur nga zonat e tjera të vendit. Në sheshin para Katedrales qytetarë të shumtë pritën mesazhin e ngjalljes së Krishtit, i cili u dha nga At Ilia Kotnani.

Edhe për besimtarët ortodoksë të Beratit, mesnata solli lajmin se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për jetën. Në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”, të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me qirinj në duar.

Me qirinj të ndezur dhe urimet “Krishti u ringjall!”, festime pati edhe nga besimtarët e qytetit të Durrësit, Elbasanit, dhe Fierit.

Në Lezhë qindra besimtar ju bashkuan meshës së shenjtë që simbolizon ringjalljen e Jezu Krishtit, e cila u mbajt në katedralen e “Shën Nikollit”.

Edhe në Shkodër besimtarët u mblodhën në katedralën e Shën Shtjefnit.

Pashka është ndër festat më të rëndësishme të besimit të krishterë që simbolizon triumfin e jetës ndaj vdekjes. Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës.

Tv Klan