Qindra besimtarë u mblodhën për t’i bërë homazhe Papa Françeskut në një kishë të Buenos Aires, ku Papa u rrit dhe u arsimua. Kryepeshkopi i Buenos Aires, Jorge Garcia, kryesoi meshën për besimtarët që morën pjesë në bazilikën e San Jose de Flores, duke përfshirë zëvendëspresidenten argjentinase Victoria Villarruel. Garcia kujtoi vendosmërinë e Françeskut për të mos u fshehur nga problemet aktuale dhe u bëri thirrje argjentinasve të bashkohen në kohë përçarjeje.

Edhe në Los Angelos u mbajt një shërbesë kishtare ku besimtarët u mblodhën për të nderuar figurën e Papa Françeskut si një “qenie njerëzore fisnike” që tregoi mëshirë ndaj botës.

Besimtarët në Katedralen e Zojës së Engjëjve në Los Anxhelos shprehën dhimbje dhe pikëllim për vdekjen e tij, por gjithashtu thanë se ishin të lumtur që Françesku ishte tashmë me Zotin në parajsë.

Nga Lima në Karakas, Santiago në Guatemala City, kambanat ranë mortshëm, ndërsa katolikët e Amerikës Latine u mblodhën në katedrale dhe kisha për të nderuar jetën dhe trashëgiminë e Papa Françeskut. Kambanat e katedraleve jehonin ndërsa besimtarët mbanin pankartat me imazhin e Papës ku shkruhej: “Mos harroni të luteni për mua” dhe “Papa Françesku, Peruja është me ty”.

Në Santiago, Kili, besimtarët shkruan mesazhin e fundit për Atin e Shenjtë në librat e ngushëllimit dhe iu bashkuan një meshë të udhëhequr nga kardinali Fernando Chomali. Në Guatemala kambanat e katedrales ranë ndërsa njerëzit u mblodhën për lutje. Mesha u kremtua për nder të Papës dhe famullitarët shprehën admirim për përulësinë dhe udhëheqjen e tij shpirtërore. Mesha u mbajtën edhe në Kuba, Brazil e Bolivi.

Në Europë, dritat në Kullën Eifel u fikën në nderim të Papa Françeskut, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare. Dritat e monumentit 324 metra të lartë u fikën për disa minuta.

Qindra besimtarë u mblodhën në Katedralen Almudena në Madrid për t’u lutur dhe nderuar kujtimin e Papa Françeskut të ndjerë. Gjatë shërbimit përkujtimor, të udhëhequr nga kardinali Jose Cobo, të pranishmit shihen teksa fshijnë lotët për humbjen e Papës.

Lutjet u mbajtën në Bazilikën e Shën Marisë Major të Romës. Papa Françesku konfirmoi në testamentin e tij të fundit se dëshironte të varrosej në këtë bazilikë dhe jo në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, ndryshe nga shumë Papë të mëparshëm.

Gjithashtu banorët në Prishtinë u mblodhën për të ndezur qirinj në kujtim të Papa Françeskut. Don Agim Qerkini, prifti në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, foli për rolin e rëndësishëm që pati Papa Françesku.

“Ai ishte Papa që, nëpërmjet fuqisë së dashurisë dhe mesazhit të mirësisë, u bë një model për kohën e tij. Papati i tij qëndron si një nga periudhat më të bukura në historinë e Kishës,” tha Don Agim Qerkini.

Sipas regjistrimeve të vitit 2024, më shumë se 93 përqind e popullsisë së Kosovës identifikohet si myslimane, ndërsa 2.3 përqind janë ortodoksë të krishterë dhe 1.7 përqind janë katolikë.

Shërbimet përkujtimore për Papa Françeskun u mbajtën gjithashtu në Rumani, vendi me shumicë dërrmuese të krishterë ortodoks ku shumë besimtarë të cilët vuajtën nga persekutimi në epokën komuniste përbëjnë pak më shumë se pesë përqind të popullsisë.

Njerëzit morën pjesë në një shërbim dhe ndezën qirinj për Papa Françeskun në Katedralen e Shën Jozefit në Bukuresht, të cilën Papa e kishte vizituar në vitin 2019 në një vizitë historike, ku vlerësoi arritjet që nga rënia e komunizmit, ndërsa kujtoi se problemet e stabilitetit shoqëror dhe qeverisjes ende mbeten.

Klan News