Nëpër xhami nuk respektohet distanca sociale

Pas ditëve të agjërimit, besimtarët myslimanë festuan sot Fitër Bajramin. Ndryshe nga një vit më parë ata nuk u mblodhën në sheshet kryesore të qytetit, por nëpër xhamitë e lagjeve duke zbatuar protokollet e shëndetësisë. Në Tiranë falja u organizua në Xhaminë e Kokonozëve tek Pazari i Ri.

Në Korçë, besimtarët myslimanë e falën namazin në xhaminë e Iljaz bej Mirahorit. Numri i lartë i besimtarëve si brenda ashtu edhe në ambientet e jashtme të xhamisë e bëri të pamundur respektimin e protokollit të sigurisë, për distancën mes njëri-tjetrit.

Edhe në Lushnje për shkak të numrit të lartë të besimtarëve falja është bërë në ambientet brenda dhe jashtë xhamisë së qytetit.

Në Durrës, imami i xhamisë uroi begati e mirësi dhe i ftoi të luteshin që pandemia Covid-19, e cila i kufizoi gjatë muajit të Ramazanit për të kryer ritet fetare në xhami, të largohej.

Në Elbasan ka qenë e pamundur që të përballohet fluksi i besimtarëve nëpër xhami. Ndaj janë shtruar tapete jashtë tyre.

Pas faljes në xhami, besimtarët janë drejtuar drejt banesave të tyre për drekën e Fitër Bajramit. Emri Fitër Bajram vjen pasi myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohen me të varfrit.

Tv Klan