Janullatos: Këtë vit Pashkët na ftojnë në një betejë të vështirë

Festa e Pashkës për besimtarët ortodoksë nisi me meshën e mbajtur të shtunën në disa qytete të Shqipërisë. Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt mesha kryesore, ku kryepeshkopi Anastas Janullatos dha mesazhin e Pashkës. 

“Pashka e këtij viti na fton në një betejë të vështirë. Këto vite, veçanërisht muajt e fundit, kanë grumbulluar rreth nesh, por edhe në zemrën tonë, një hidhërim të shumëtrajtshëm: Dhimbje të parrëfyeshme për shkak të fatkeqësisë hekurudhore dhe numrit të madh të të prekurve nga tërmeti tek fqinjët tanë, pikëllim të papërshkrueshëm për shkak të luftës së ashpër në Ukrainë.”

Festa e Pashkëve u festua edhe në qytetet e tjera të vendit.

Besimtarët e shumtë në Kishën e Dhërmiut e festuan me fishekzjarre festën e Pashkës.

Urimet për festimet e Pashkës u dhanë nga krerët e shtetit dhe të politikës. Presidenti Bajram Begaj këtë të dielë dha mesazhin e tij nga Korça.

Uroj për të gjithë shqiptarët, kjo Pashkë ardhtë e mbarë, e bardhë dhe drita e Pashkës ndriçoftë mendjen, zemrat dhe jetën e shqiptarëve!

Mesazhet u dhanë edhe nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla u shoqërua nga kryebashkiaku Erion Veliaj për urimet e festës së Pashkës në Katedralen Ortodokse në Tiranë.

“Kjo është një ditë e bukur e ringjalles së shpresës, ëndrrave, fitores së dashurisë mbi urrejtjen dhe jetës mbi vdekjen”.

Sakaq, kryebashkiaku Veliaj në mesazh e tij u shpreh se së shpejti do të nisin punën për Kishën e Shën Prokopit.

“Bashkia e Tiranës sapo ka dhënë lejen për Kishën e Shën Prokopit, e cila ndodhet te kodrat e Liqenit. Hirësia u përlot sepse besoj se për shumë besimtarë ka qenë një kalvar, 30 e ca vite, për të zgjidhur ngërçin e asaj prone.

Edhe kandidati demokrat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, uroi besimtarët ortodoksë.

“Gëzuar të gjithëve, ju uroj mirësi, dashuri edhe çdo të mirë për familjet tuaja”.

Pashkët simbolizojnë ngjalljen e Jezu Krishtit tre ditë pas kryqëzimit dhe janë festa kryesore e besimit të krishterë. Flaka e shenjtë është simboli i fitores mbi vdekjen dhe besimtarët i mbajnë të ndezur qirinjtë gjatë gjithë natës së Pashkës.

Në këtë festë nuk mund të veçohet veza e kuqe, e cila simbolizon jetën ndërsa ngjyra e kuqe sakrificën e birit të perëndisë, Krishtit, i cili u kryqëzua për shpëtimin e të gjithë njerëzimit.

Tv Klan