E premtja para Pashkës, që njihet si e Premtja e Zezë, u kremtua nga besimtaret ortodoksë në të gjithë vendin. Besimtarë të shumtë kanë marrë pjesë ceremoninë e Epitafit të Krishtit që u zhvillua jo vetëm në Tiranë, por edhe në shumë qendra të tjera të vendit. Ata kanë kremtuar këtë ditë me rëndësi, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.
Në Tiranë ceremonia u zhvillua në Katedralen Ngjallja e Krishtit ku shërbesa u kryesua nga kryepeshkopi Joan. Më pas u zhvillua procesioni i epitafit në rrugët e qendrës së kryeqytetit.
Në qytetin e Korçës e Premtja e Zezë, u kremtua nga besimtarët ortodoksë, me ceremoninë e organizuar nga Mitropolia e Shenjtë. Rituali i kalimit nën epitaf dhe procesioni i varrimit të Krishtit, mblodhën para Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, qindra besimtarë, të cilët shoqëruan procesionin përgjatë ecjes në rrugët kryesore të qytetit.
Edhe në Durrës, me dhjetëra besimtarë ortodoksë janë mbledhur pasditen e së premtes në katedrale e Apostull Pavlit dhe Shën Astit për të marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit, e njohur ndryshe si lëvizja e Epitafit të Krishtit.
Besimtarë të shumtë ortodoksë dhe qytetarë vlonjatë kanë marrë pjesë mbrëmjen e kësaj të premteje në ceremoninë e Epitafit. Epitafi ka përshkuar qendrën e qytetit të Vlorës, ndërsa atmosfera e përcjellë në qytet ka qenë me mesazhe të paqes besimit, shpresës dhe ringjalljes.
Edhe në Himarë besimtarët ortodoksë zhvilluan ceremoninë e epitafit. E Premtja e Zezë simbolizon sakrificat dhe vuajtjet e Jezu Krishtit, ndërsa Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij.
Klan News