Mesha e së dielës në kishën e “Shën Mërisë” në Apolloni, është bosh. Nuk është fjala për braktisje të ritualeve nga besimtarët. Këtyre të fundit u kërkohet të paguajnë tarifë njësoj si turistëve që vizitojnë qytetin antik.

Ndalimi për të filmuar kishën pa leje nga Ministria e Kulturës, detyroi priftin Sokrat Lako t’u kujtojë nënpunësve të parkut lejen supreme, atë të Perëndisë.

Tarifat nga njëra anë dhe ritualet fetare nga ana tjetër duket se nuk shkojnë bashkë. Në kushte të tilla, ndezja e qirinjve dhe lutjet, trondisin, në vend që të falin qetësi shpirtërore.

Banorëve të Pojanit, fshatit që ndodhet vetëm 1 kilometër nga kisha, u kërkohet dokument identifikimi për të hyrë në kishë pa pagesë dhe kjo vetëm në raste festash fetare. Një praktikë të cilën e konsiderojnë fyese çka i bën të braktisin kishën.

E ndërsa banorët dhe mediat e kanë të kufizuar hyrjen në kishë, drejtuesit e Parkut Arkeologjik hyjnë pa leje në mjediset më të shenjta të saj.

Konflikti mes autoriteteve të parkut, kishës dhe banorëve të zonës ka filluar 6 muaj më parë  kur për herë të parë tarifat për vizitorët e Parkut përfshinë edhe frekuentuesit e kishës. Kjo e fundit sipas at Sokratit është e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë kanë të drejtë të luten aty.

Kisha e Shën Mërisë dhe Manastiri i Apollonisë janë ndërtuar 800 vjet më parë me materialet nga qyteti antik. Kisha është frekuentuar masivisht dhe pa ndërpreje prej shekujsh nga banorët e zonës deri 6 muaj më parë, kur u vendosën tarifat për hyrjen në të.

Tv Klan