Lajme Arkiva -TV Klan 2000

Kandidatura e Besnik Mustafajit, duket se do të jetë përfundimisht emri i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Mustafaji përveçse ka mbështetjen e Berishës dhe kryesisë qendrore, nga testimet e deritanishme parashikohet të jetë më i votuari në aktivin e PD të datës 25, ku pritet të marrin pjesë 700 demokratë të kryeqytetit.  

Vetë Mustafaji nuk ka pranuar të thotë se është më i përzgjedhuri, por ai ka treguar për TV Klan se çfarë do t’i ofrojë kryeqytetasve.

Besnik Mustafaji:- “Për të fituar unë kam besim se do të fitojë në këtë etapë të parë. Jam shumë i kënaqur nga serioziteti me të cilën janë ndjekur procedurat demokratike brenda PD-së në përzgjedhjen e kandidatëve. Dua të sigurojë elektoratin e PD, aktivistët e PD, se në qoftë se nuk do të fitojë unë, unë nuk do të kem asnjë hezitim për të ndihmuar cilindo kandidatë që do të dalë nga kjo Konventë e PD-së, që është ditën e premte, por unë shpresoj të fitojë. Në këtë etapë në të cilën jemi, unë ofroj për kryeqytetin eksperiencën time politike, që ka qenë në shërbim të demokracisë. Unë ofroj personalitetin tim për Tiranën pastaj të gjitha të tjerat do ndërtohen”.

Gazetarja:- Në rast se ju fitoni, si i komentoni kandidaturat e PS, kandidaturat e PSD, të PR etj?

Besnik Mustafaji:- “Nuk do të më pëlqente që të bëja një dialog individual me kandidatët. Të gjithë kandidatët përfaqësojnë partitë dhe forcat politike në përgjithësi që kanë kandiduar. Unë mendoj se fushata do të bëhet në nivelin e programeve, nëse do të jem unë kandidati i PD, do të bëhet në nivelin e programeve, do të bëhet në nivelin e alternativave. Në nivelin e rivalëve kandidati më lehtë për t’u përballuar është kandidati i PS”./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego