Kompozimi i këngëve ose procesi i krijimtarisë në tërësi nuk është i menjëhershëm dhe secili artist ka momentin e tij të frymëzimit, i cili vjen krejt rastësisht. Shembullin konkret për këtë Besnik Qaka e rrëfen në emisionin “Rudina” në Tv Klan lidhur me këngën “Mos u nal”.

Melodia e refrenit i erdhi në mënyrë të papritur në makinë pikërisht ditën kur po vinte për një intervistë në Tv Klan. Një melodi nisi të luante në mendjen e tij dhe ai tregon se mori menjëherë celularin për ta regjistruar, pa e ditur në atë moment se do të ishte pikërisht kënga e ardhshme.

Melodia kishte mbetur në harresë për disa ditë, por kur e ridëgjoi sërish, nisi t’i lindte ideja për ta shndërruar në një këngë të mirë.

Rudina Magjistari: Jam kurioze të di, si ndodh kompozimi i këngës? Si të vjen ai frymëzimi? Zakonisht shkon në studio, mendon dhe provon në tastierë? Apo mund të jesh në rrugë, duke pirë një kafe apo duke bërë një shëtitje dhe të vjen një melodi?

Besnik Qaka: Ka mënyra të ndryshme, por njëra prej këngëve u bë kështu. Isha duke ardhur në Klan dhe të them të drejtën, isha pak i lodhur. Nuk e di kush ishte me mua duke i dhënë makinës, më duket ka qenë Meti, sigurisht dhe unë e kisha mbështetur kokën në xhamin e makinës. Kot ashtu, filloi një melodi në mendjen time dhe ishte melodia e “Mos u nal”. Mora telefonin, e incizova vetëm këtë pjesë (refrenin) dhe mbaroi aty. Pas një kohe, kur u ktheva, si për të thënë, pas një jave, m’u kujtua, thashë “kam incizuar diçka rrugës, një ide”, dhe mora telefonin, e dëgjova disa herë dhe aty filloi të më vinte frymëzimi. Zakonisht këngët e mira, ne e kemi shprehjen që vijnë shkëndijë. Edhe asaj i zgjati pak orkestrimi e teksti derisa e bëmë.

Rudina Magjistari: Kur e plotëson pastaj, apo jo, që e shton, por ishte ajo melodia.

Besnik Qaka: Po, ajo e shkurtra, refreni ka ndodhur rrugës duke ardhur për në Shqipëri./tvklan.al