Besniku i NRG Band: Kënga “Rina” rriti suksesin tonë dhe numrin e bebeve me këtë emër




Besniku i NRG Band: Kënga “Rina” rriti suksesin tonë dhe numrin e bebeve me këtë emër

19:10 17/06/2021

Grupi muzikor NRG Band ishte trioja e ftuar sot në emisionin “Rudina” në “Tv Klan” për të dhuruar një koncert në studio, por edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi projektet e tyre të shumta dhe të suksesshme.

Grupi nga Kosova i përbërë prej tre vëllezërve, Besnik, Arben dhe Meti Qaka ka 21 vite si pjesë e tregut muzikor dhe janë kujdesur gjithnjë për të sjellë këngë të pëlqyeshme për publikun. Aktualisht ata po punojnë në albumin e tyre të gjashtë.

Një ndër këngët e tyre më të bujshme mbart edhe emrin e një vajze, “Rina”. 10 vite më parë, kënga ishte një hit që dëgjohej kudo, por nuk dihet nëse Rina ka qenë një person i vërtetë në të cilën është bazuar edhe kënga. Këtë detaj e zbulon Besniku.

Rudina Magjistari: A ekziston Rina prej vërteti?

Besnik Qaka: Tekstshkruesi në atë kohë ka qenë Mit’hat Sadiku dhe kur folëm për tekstin, kënga mund të ketë zgjatur deri në 6 muaj sepse atëherë mendonim që mund të merrte pjesë në “Eurovision”. Më pas u tërhoqëm dhe vazhduam me publikun. Dilema gjatë kompozimit dhe kohës kur punonim në studio ishte se nuk dinim ç’titull të vendosnim, provonim Mina etj dhe në fund, është një video, sepse ne shpesh xhirojmë momente, thotë Mit’hati “a po doni Rina pra se s’di ç’të bëj më?” dhe ashtu u vendos.

Rudina Magjistari: Në fakt rimon shumë bukur, emri është i thjeshtë, teksti është i bukur, muzika ka një melodi sa të thjeshtë, aq edhe të bukur, të ngjit menjëherë.

Besnik Qaka: Është punuar gjatë me muzikën, kjo këngë i ka rreth 5 versione si demo. U punua gjatë, por ja që diçka kur punohet, shpërblehet dhe sot jemi krenarë që kemi arritur diçka të tillë.

Grupi bie dakord se kjo ishte pikërisht kënga që e katapultoi suksesin e tyre dhe vendosi një bazë më të sigurt për ta pasi nisi një epokë të re në karrierën e tyre në kohën kur mediat sociale nuk ishin kaq interaktive dhe të rëndësishme sa sot, ishin ende në fillimet e tyre.

Fama e këngës u rrit kaq shumë sa Besniku thotë se u rrit numri i bebeve vajza me emrin Rina.

Rudina Magjistari: Kujtoni ndonjë histori me ndonjë fanse të çmendur në atë periudhë?

Besnik Qaka: Është shtuar numri nëpër spitale i emrit Rina.

Rudina Magjistari: Lindin vajzat e vogla dhe iu vendosnin emrin Rina?

Besnik Qaka: Po, e di nga një informacion që është rritur numri i emrave Rina./tvklan.al





Të ngjashme