Në ditën e fundit të fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, kandidatët presidencial të pozitës dhe opozitës, po japin mesazhet e fundit para elektoratit. Derisa nga kampi politik i koalicionit qeveritar bëjnë thirrje për dalje masovike dhe të votohen përcaktimet euro-atlantike të vendit, opozita maqedonase ndërkaq zhvillon një fushatë tjetër.

Ata bëjnë thirrje që qytetarët masivisht të dalin në votime, me qëllim që postin e Presidentit mos ta marrë kryeparlamentari Talat Xhaferi. Mirëpo, Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi i mohoi zërat se mosdalja e tij në fushatën zgjedhore ka të bëjë me pretendimet për t’u bërë kryetar shteti.

Kandidati shqiptar që nuk arriti të kualifikohet në raundin e dytë, Profesor Blerim Reka i ftoi votuesit e tij, siç tha, masivisht të dalin në votime dhe të shpëtojnë procesin euroatlantik të vendit, gjë që në qarqet e këtushme vlerësohet si përkrahje indirekte për z.Pendarovski, kurse partitë opozitare shqiptare që mbështetën kandidaturën e Rekës, bënë thirrje për dalje masive, por që qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre, duke mos harruar këtu, siç thanë edhe përcaktimet strategjike të vendit për inkuadrim në strukturat e NATO-s dhe BE-së.

Tv Klan