Zjarret u fikën pas 15 ditësh në Dukat. Po kaq ditë punonjës të zonave të mbrojtura qëndruan brenda në pyll me çadra. Ky është Nexhip Hysolakoj, një nga personat që ka fjetur pranë vatrave të zjarrit pas orëve rraskapitëse nga temperaturat e larta, pa u larguar nga vendi.

Në shumicën e ditëve dhe të netëve kemi ndenjur në mal për arsye të vështirësisë për t’u ngjitur, për të bërë një shteg puna më e madhe është të shkosh deri të zjarri. Karaburuni është një mal i lartë, shumë i vështirë për t’u arritur, me shtigje të pakta për të kaluar, për të dhënë mundësi të shkojmë sa më shpejt”.

Nexhipi njihte shtigjet dhe drejtonte operacionin në zemër të vatrave. Puna u krye natën dhe në orët e para të mëngjesit. Uji i pijshëm edhe pse i pakët për të shuar etjen e njeriut, është përdorur edhe për fikjen e zjarrit.

Ka momente të caktuara kur duhet të përdorësh edhe ujin e pijshëm, nuk do presësh të vijë diçka tjetër. Sot, po të shohësh ushtarët, kanë përdorur të gjithë ujin e tyre të pijshëm dhe presim që dikush nga komuniteti të çojë ujë sepse kanë dy orë që ujin e tyre e kanë përdorur për të fikur ca trungje që paraqesin rrezik”.

Tani zjarri u shua, por Nexhipi dhe të tjerët vështirë se i harrojnë këto ditë Vere.

Është një nga më të vështirët, të paktën në 12 vjet që unë punoj në këtë zanat, është nga zjarret më të vështirë që kam parë. Me një spostim më të shpejtë se sa ecja e njeriut, do të thotë që sado t’i qepesh nga mbrapa në kuptimin figurativ, zjarri ishte më i shpejtë se ne, me temperatura shumë të larta, pra ishte gjithmonë në disfavorin tonë dhe në favor të zjarrit”.

Tym del vetëm nga drurët që digjen. Nga mali zbritën edhe trupat e specializuara. Qindra hektarë me pyje e kullota u dogjën në Dukatin e Ri, por Parku Lombëtar i Llogarasë u shpëtua pas ndërhyrjeve nga ajri dhe toka. Është koha që trupat tokësore të shkojnë në shtëpi, pranë familjes që u ka munguar këto ditë.

Klan News