Që prej orës 10:00 në Gjykatën Kushtetuese është duke u zhvilluar “beteja” e parë e Kryeministrit Edi Rama me Presidentin Ilir Meta. Bëhet fjalë për padinë që ka ngritur kreu i qeverisë për kompetencat e presidentit për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.

Çështja që po diskutohet ditën e sotme me relatore gjyqtaren Elsa Toska, ka të bëjë me mos dekretimin nga ana e Presidentit të Republikës si ministër të Europës dhe Punëve të Jashtme, Gent Cakajn. Për këtë çështje Presidenti në Janar të 2010 pasi mori 10 ditë kohë, doli në mendimin se Cakaj nuk kishte përvojën për të ushtuar këtë detyrë. Po ashtu sipas Metës, Cakaj ishte pajisur tre ditë përpara se të propozohej emri si ministër me certifikatë sigurie.  Por këto argumente kanë hasur në kundërshti. Rama prezantoi veten e vet si ministër asokohe dhe këto kompetenca ia kaloi Cakajt.

Gazetarja Glidona Daci raporti nga Gjykata Kushtetuese se gjatë seancës së ditës së sotme, përfaqësuesja e qeverise Elira Kokona është shprehur se Meta ka refuzuar dekretimin jashtë çdo kompetence kushtetuese. Ajo ka argumentuar se ligji dhe kushtetuta  parashikojnë që kompetencën për emërimin e ministrave të pozicioneve të ndryshme e ka qeveria. Presidenti Meta, sipas saj, nuk e ka tagrin për të mos dekretuar dhe për të mos u dhënë ministrave të propozuar detyrën. Gjithashtu nga ana tjetër, të paktën sipas zonja Kokona, Meta nuk ka të drejtë që të kryejë verifikime të thelluara me personat që prezantohen për të qenë ministra, pasi kjo i përket qeverisë dhe Kuvendit.  

Daci raportoi se Kokona ka sjellë rastin e Presidentit Nishani, i cili edhe pse ishte kundër dekretimit të Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, shprehu mendimin e tij, por pavarësisht kësaj e dekretoi Xhafajn. Gjatë seancës ka pasur edhe pyetje nga trupa gjykuese ku i janë drejtuar Kokonës për afatin 10-ditor për të kryer verifikimet dhe kush e ka tagrin për t’i kryer ato. Sipas Kokonës, tagrin për verifikime dhe hetime e ka Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Sipas saj, duhet që Presidenti edhe kur është kundër, mund të japë mendimin paralel dhe kundërshtues, por nuk e ka tagrin që të mos bëjë dekretimin.

Seanca vijon dhe pritet që përfaqësuesi i presidentit të japë argumentet nëse ka të bëjë apo jo me tejkalim të kompetencave të presidentit për emërimin e ministrave. Gjykata pasi të dëgjojë palët do të tërhiqet dhe do të ketë një vendim. Megjithatë ky vendim nuk pritet që të merret ditën e sotme./tvklan.al