Daullet e luftës tregtare mes Italisë dhe Turqisë kanë nisur të bien pas shkëmbimit të deklaratave mes  kryeministrit Mario Draghi dhe presidentit Erdogan, i konsideruar si diktator nga qeveria italiane.

Ankaraja kërcënoi menjëherë ngrirjen e disa kontratave të mëdha me kompanitë italiane që kanë investime në Turqi. Kreu i qeverisë italiane në fakt edhe pse e konsideroi presidentin turk si “diktator”, tha se me të duhet të vazhdojnë të bashkëpunojnë në emër të interesit kombëtar.

Italia dhe Turqia ndajnë interesa të mëdha tregtare, me një shkëmbim të mallrave në rreth 15 miliardë euro. Italia është përpara në këtë raport me 48 kompani të mëdha italiane që janë të pranishme me investime direkte në Turqi, si Unicredit, Generali, Mps, Fiat, Ansaldo Energia dhe Leonardo, përveç shumë të tjerave.

Madje kompania “Leonardo” prodhon versionin e saj të helikopterit në Turqi. Ndër kontratat që rrezikohen është edhe ajo për ndërtimin e një impianti të madh gazi.

“Është e vështirë të imagjinohet sesi kryeministri italian provokoi një tërmet të tillë me Ankaranë vetëm për një fyerje hipotetike diplomatike ndaj Von der Leyen”.

Në realitet, mosmarrëveshja mes Turqisë dhe Italisë është e lidhur me tensionet në Libi dhe në Mesdheun Lindor për fushat e gazit.

Bashkimi Evropian duket se do të ketë një rol themelor në mbështetjen e Romës, ashtu siç ndodhi me rastin e Athinës në kërkimet për naftë dhe gaz në Mesdhe.

Klan News