Janë betuar në Kuvend 140 deputetët e rinj. Mandatet e tyre u verifikuan nga një komision që u ngrit më herët gjatë seancës së parë të legjislaturës së X. Nga maxhoranca, pjesë e komisionit ishin Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Auora Mara, Nasip Naço dhe Toni Gogu, ndërsa nga PD ishin Saimir Korreshi, Dhurata Çupi, Greta Bardeli dhe Belind Këlliçi.

“Komisioni konstaton se mandatet e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë janë të vlefshme”, tha deputetja socialiste Klotilda Bushka.

Në këtë legjislaturë të re, 74 mandate do t’i ketë Partia Socialiste, 50 mandate Partia Demokratike, 3 mandate Partia Republikane, 2 deputetë PDIU, 4 mandate LSI, 3 mandate PSD dhe nga 1 mandat PAA, PLL, LZHK dhe PBDNJ.

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot vendimin për të zëvendësuar deputetët që kanë dorëzuar mandatin pas zgjedhjeve të 25 Prillit.

Në një mbledhje të zhvilluar sot pas seancës së parë të Kuvendit të ri, KQZ ka vendosur që mandati i Najada Çomos t’i kalojë Mimi Kodhelit. Po ashtu edhe mandati i Lefter Kokës në Durrës i ka kaluar Denis Deliut. Nga ana tjetër  edhe mandati i Gramoz Ruçit në Fier i ka kaluar Mirela Pitushit.

Jo vetëm nga maxhoranca, por dhe nga opozita pati dorëheqje. Tashmë mandati i fituar nga Mark Marku në Lezhë i ka kaluar Elda Hotit./tvklan.al