Janë betuar të enjten dy deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, Silva Caka dhe Dritan Bici.

Nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Caka merr mandatin e Gledion Rehovicës në Qarkun e Beratit. Ndërsa Dritan Bici zëvendëson Aqif Rakipin, si përfaqësues i PDIU në Qarkun e Elbasanit.

Gledjon Rehovicës dhe Aqif Rakipit, iu hoq mandati, pasi nuk kishin deklaruar të dhëna të sakta në kuadër të  ligjit të dekriminalizimit.

Duke lexuar tekstin e betimit, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha:

“Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend, do të përfaqësoj denjësisht popullin, do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektoj dhe mbroj të drejtat dhe lirinë e shtetasve dhe do të punoj me të gjitha fuqitë e mia për përparimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit tim.”

Deputetja Silva Caka:

“Betohem.”

Deputeti Dritan Bici:

“Betohem.”

Me betimin në Kuvend, Caka dhe Bici nisën detyrën si deputetë. /tvklan.al