Në Presidencë u zhvillua këtë të enjte ceremonia e betimit para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK): Elida Kaçkini, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.

Në këtë mënyrë SPAK nis punën zyrtarisht nga kjo e enjte. Megjithatë që të funksionojë normalisht, do të duhet të ketë të paktën 10 anëtarë.

Për anëtarët e tjerë, Anton Martini, Elisabeta Ymeraj, Anita Jella dhe Doloreza Musabelliu, emërimi ka mbetur pezull për shkak se nuk kanë kaluar ende të dyja shkallët e Vettingut .

Së shpejti Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të zgjedhë edhe drejtuesin e SPAK, mes Altin Dumanit, Arben Krajës dhe Edvin Kondilit. Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të hetojë dhe çojë në gjykatë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe krimet e kryera nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të nivelit të lartë.

Prokurorët e posaçëm do t’i nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe të telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre. SPAK bazohet në modele që janë përdorur edhe në vende të tjera si Kroacia apo Rumania.

/tvklan.al