Rama: Asnjë centimetër tokë e Teatrit nuk preket

Me himnin kombëtar në sfond dhe kryeministrin Rama në podium, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri betimin e  nisjes së mandatit të dytë në krye të bashkisë së Tiranës.

“Nëse në 100 vitet e fundit Tirana është rritur përtej një shtylle kurrizore që quhet Bulevardi i Vjetër, parashikoj që në 100 vitet e ardhshme Tirana të rritet tek ai që quhet Bulevardi i Ri. Kemi vënë pllakën e parë me Kryeministrin në fillim të këtij mandati dhe jam i lumtur që më në fund e pamë të përfundojë kjo shtyllë e re kurrizore e Tiranës, që zgjat dy herë gjatësinë e qytetit dhe të shikojmë si ajo që quhet zona Fin-tech të vazhdojë dhe të zhvillohet në zonë e Bulevardit të Ri. Ju premtoj që nuk do t’ju zhgënjej dhe do të vendos çdo energji timen dhe të stafit në përmbushje të çdo premtimi që ne kemi bërë. Betohem para jush që do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri”, tha Veliaj.

Ceremonisë në sallën e Këshillit Bashkiak i parapriu fjala e kryeministrit Rama, i cili u kërkoi anëtarëve të rinj që çdo oponencë ta bëjnë në mbrojtje të interesit publik.

Rama foli për zhvillimin e Tiranës duke prekur sërish çështjen e ndjeshme të Teatrit  dhe akuzat për ngritjen e kullave.

Kreu i qeverisë tha se Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj ndonëse ka dhënë më pak leje ndërtimi në 4 vite se sa Lulzim Basha kur ishte kryetar i kësaj bashkie, ka arkëtuar plotë 5 herë më shumë të ardhura nga taksa e ndërtimit.

Tv Klan