Betohet qeveria e Mitsotakis

Betohet qeveria e Mitsotakis

18:25 09/07/2019

Duke marrë sipas traditës edhe bekimin e kryepeshkopit Jeronimos, ministrat e kabinetit të ri të Kyriakos Mitsotakis bënë betimin tek Presidenti Prokopis Pavlopulos.

Në total kabineti i ri qeveritar ka 17 ministra, 51 anëtarë në total përfshirë ministra, zv/ministra e sekretarë shteti. Spikasin emra si ai i ministrit të Brendshëm dhe Migracionit Mihalis Krisohidhis, i cili ka shërbyer në gjithë qeveritë e PASOK-ut pas vitit 2000, ai i Mbrojtjes Nikos Panajotopulos dhe ai i Jashtëm Nikos Dendias

Me profesion jurist, 60-vjeçari ka lindur në Korfuz por sipas mediave greke, prejardhen familjare e ka nga Vunoi në Himarë. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, gjatë marrjes së postit nga Jorgos Katrugalos, pararendësi i tij në detyrë, Nikos Dendias theksoi se klima e unitetit kombëtar do të ndiqet edhe në politikën e jashtme. Prioritet do të kenë edhe grekët që jetojnë jashtë vendit.

“Dua të siguroj se qeveria Mitsotakis do të kërkojë gjithmonë konsensus në politikën e jashtme. Do të mbrojmë interesat kombëtare dhe do të forcojmë marrëdhëniet me grekët jashtë vendit”.

Siç shkruan e përditshmja “To Ethnos”, një ndër sfidat më kryesore të ministrit të ri të Jashtëm grek janë edhe marrëdhëniet fqinjësore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqinë. Problemet me Turqinë në Mesdheun Lindor për zgjerimin e Zonave Ekskluzive Ekonomike të nxitura nga ish-ministri Nikos Kotsiaz kanë zvarritur edhe marrëveshjen me Shqipërinë për delimitimin e hapësirave detare me Shqipërinë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT