88 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme në Itali, lind qeveria e krijuar nga aleanca populiste Lëvizja 5 yjet – Lega Nord. Kryeministri Xhuzepe Konte dhe 18 ministrat e kabinetit të tij, u betuan këtë të premte përpara presidentit Serxho Matarela.

Në qeveri bëjnë pjesë edhe dy krerët e partive euroskeptke, Luigi di Maio i 5 Yjeve, si ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe i Punës, si edhe Mateo Salvini si ministër i Brendshëm. Të dy mbajnë gjithashtu edhe postet e zv/kryeministrave.

Në krye të financave do të jetë Xhovani Tria, një figurë më e pranuar politikisht, por gjithësesi kundër dominimit gjerman të Eurozonës, ashtu si kandidati i parë, i fortkundërshtuar nga presidenti, Paolo Savona. Ky i fundit do të jetë ministër i marrëdhënieve me BE.

Për kreun e Legës Mateo Salvini, Savona është në pozicionin e duhur, pasi raportet me Bllokun duhen rishikuar.

Urimi i parë për qeverinë e re italiane vjen nga presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, i cili tha se BE do të jetë përkrah Italisë, por e vëmendshme ndaj politikave të saj.

Edhe shtypi ndërkombëtar e sheh me shqetësim qeverinë e re italiane. E përjavshmja amerikane Time shkruan Italia do të formojë të parën qeveri populiste në Europën Perëndimore, që shkon përkundër parimeve të Unionit. Ndërsa për gjermanen Dw Welt, Italia po nis një epokë të re nën qeverinë e ndryshimit. Një qeveri që është sa kritike ndaj Europës aq edhe miqësore me Rusinë.

Theksi vihet tek kërkesat e ministrit të ri të Punëve të Brendshme, Mateo Salvini, i cili ka paralajmëruar dëbimin masiv të gjysmë milioni emigrantëve të paligjshëm.

Tv Klan