Shtëpia e Bardhë kundër projekteve për pasaporta vaksinimi

Prej 19 Prillit, në Shtetet e Bashkuara do të lejohet vaksinimi i të gjithë të rriturve. Kufiri do të ulet deri tek 18-vjeçarët.

Afati kohor për përfshirjen e të gjithë të rriturve në skemën e vaksinimit reduktohet me dy javë, pasi më herët presidenti Joe Biden kishte premtuar se vaksina të mjaftueshme për imunizimin e gjithë amerikanëve të rritur do të kishte duke nisur nga fillimi i majit.

Deri më tani 40% e amerikanëve kanë marrë të paktën 1 dozë.

Sakaq, Shtëpia e Bardhë hedh poshtë zërat se po administrata amerikane po harton një certifikatë vaksinimi.

Sekretarja për shtyp e Presidentit Biden tha se këto mekanizma po shqyrtohen nga sektori privat dhe organizatat jo-fitimprurëse, por premtoi se administrata amerikane nuk do të mbështesë asnjë dokument detyrues që ndërhyn në liritë e qytetarëve.

“Interesi ynë si qeveri  federale është shumë i thjeshtë, që të mbrohen të drejtat dhe sfera private e amerikanëve dhe që këto sisteme të mos përdoren padrejtësisht kundër njerëzve”.

Në kontrast, Bashkimi Europian ka gati skemën e pasaportave të vaksinimit, që mundësojnë liri dhe udhëtim të pakufizuar për të vaksinuarit brenda vendeve të unionit.

Tv Klan