Presidenti amerikan i frikësohet një përshkallëzimi të sulmeve kibernetike

Presidenti amerikan Joe Biden ka lëshuar akuza të drejtëpërdrejta ndaj Rusisë se po ndërhyn në zgjedhjet për Kongresin gjatë vitit të ardhshëm në SHBA.

Duke iu referuar raportit sekret të përgatitur nga komiteti i inteligjencës për të, Biden tha: “Shikoni se çfarë po bën tashmë Rusia në lidhje me zgjedhjet e vitit 2022 dhe dezinformimin”.

Para rreth 120 përfaqësuesve të komitetit të inteligjencës amerikane që u mblodhën në veri të Virxhinias ai deklaroi se veprime të tilla nga Moska janë një “shkelje e pastër e sovranitetit “.

Presidenti gjithashtu i druhet një përshkallëzimi të ardhshëm të sulmeve kibernetike që kanë në shënjestër Shtetet e Bashkuara.

Më herët administrata Biden ka fajësuar hakerët e mbështetur nga Kina dhe ata që veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.

Presidenti beson se po rriten gjithnjë e më shumë gjasat që Shtetet e Bashkuara të “mund të përfundojnë në një luftë të hapur me një fuqi të madhe”, si pasojë e sulmeve kibernetike. Megjithatë ai vuri në dukje epërsinë e komitetit të inteligjencës amerikane ndaj kundërshtarëve.

Klan News