Presidenti Joe Biden tha se “urrejtja nuk mund të gjejë strehë në Amerikë”, pasi u takua me udhëheqës aziatiko-amerikanë për të diskutuar vrasjet e gjashtë grave aziatiko-amerikane dhe dy të tjerëve në qytetin Atlanta këtë javë.

“Ekzistojnë thjesht disa vlera bazë që duhet të na bashkojnë në Amerikë. Një prej tyre është qëndrimi kundër urrejtjes”, tha Presidenti Biden në fjalën në Universitetin Emory, në Atlanta, Georgia.

Presidenti Biden udhëtoi të premten drejt shtetit juglindor Xhorxhia së bashku me Nënpresidenten Kamala Harris, për të trajtuar vrasjet me armë dhe incidentet e tjera në të cilat njerëz me origjinë aziatike në Shtetet e Bashkuara janë shndërruar në objekt sulmesh që duket se bazohen tek urrejtja.

Zyrtarët e Xhorxhias ende nuk i kanë klasifikuar si krime të urrejtjes të shtënat, të cilat goditën sallonet e masazhit, sepse i dyshuari tha se të shtënat me armë ishin rezultat i problemeve të tij seksuale.

“Cilido qoftë motivi, ne dimë këtë: shumë aziatiko-amerikanë ecin me frikë nëpër rrugë”, tha Presidenti Biden.

Ai tha se ishte “pikëlluar së tepërmi” kur dëgjoi udhëheqësit e komunitetit aziatiko-amerikan duke diskutuar se si jetojnë me frikë nga dhuna, gjatë takimit me ta të premten, ku mori pjesë edhe Nënpresidentja Harris.

Nënpresidentja Kamala Harris flet në Atlanta
Nënpresidentja Kamala Harris flet në Atlanta

Nënpresidentja Harris, e cila është afrikano-amerikane dhe me origjinë nga Azia Jugore, tha pas takimit: “Racizmi është i vërtetë në Amerikë. Dhe ka qenë gjithmonë. Ksenofobia është e vërtetë në Amerikë dhe ka qenë gjithmonë. Seksizmi gjithashtu”.

Presidenti Biden tha se përveç ngritjes kundër urrejtjes, një temë tjetër që duhet të bashkojë të gjithë amerikanët është besimi tek shkenca. Ai vuri në dukje se vendi ka arritur objektivin për t’u bërrë amerikanëve 100 milionë doza të vaksinave të koronavirusit, mbi një muaj para datës së tij të synuar për 100 ditët e para në detyrë.

Presidenti paralajmëroi amerikanët se pandemia ende mund të përkeqësohej për shkak të varianteve të reja të koronavirusit, por tha se vendi do ta mundte virusin përmes zgjidhjeve të ofruara nga shkenca.

Më herët të premten, presidenti dhe nënpresidentja u takuan me zyrtarë në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve për të marrë një përditësim sesi Shtetet e Bashkuara po përballen me pandeminë COVID-19.

Presidenti Biden i tha stafit të CDC-së se ata ishin ushtarët dhe marinsat në atë që ai e përshkroi si një luftë kundër pandemisë.

“Ajo që po bëni ju, vërtet, vërtet ka rëndësi”, tha ai, duke vënë në dukje se punonjësit e CDC-së nuk po shpëtojnë vetëm jetë, por gjithashtu po ndryshojnë mentalitetin e vendit.

“Këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asgjë që nuk mund të arrijmë kur e bëjmë së bashku”, tha ai.

Zonja Harris tha se stafi i CDC-së është “një model për pjesën tjetër të botës”.

Presidenti Biden duke vizituar selinë qendrore të CDC-së në Atlanta (19 mars 2021)
Presidenti Biden duke vizituar selinë qendrore të CDC-së në Atlanta (19 mars 2021)

Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Harris fillimisht planifikuan të merrnin pjesë në një tubim të quajtur “Ndihma është këtu”, për të promovuar paketën e ndihmës prej 1.9 trilionë dollarësh ndaj COVID-19, megjithatë tubimi u shty pas të shtënave që vranë tetë njerëz, gjashtë me origjinë aziatike.

Ndërsa ishte në Xhorxhia, Presidenti Biden pati mundësinë të takohej me ish-kandidaten për guvernatore Stacey Abrams, aftësive organizative të së cilës i atribuohet gjerësisht fitorja e Partisë Demokrate gjatë zgjedhjeve presidenciale në Xhorxhia në nëntor, fitorja e parë e demokratëve në shtetin jugor që nga viti 1992.

Para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Xhorxhia, Presidenti Biden bëri një deklaratë ku i kërkoi Kongresit të miratojë legjislacionin në lidhje me koronavirusin dhe krimet e urrejtjes.

“I kërkoj Kongresit që të miratojë me shpejtësi Aktin e Krimeve të Urrejtjes të COVID-19, i cili do të përshpejtojë reagimin e qeverisë federale ndaj rritjes së krimeve të urrejtjes të përkeqësuar gjatë pandemisë; do të mbështesë qeveritë e shteteve dhe ato lokale për të përmirësuar raportimin e krimeve të urrejtjes dhe do të sigurojë që informacioni për krimet e urrejtjes të jetë më i arritshëm për komunitetet aziatiko-amerikane”, tha Presidenti Biden në deklaratë.

Ndërsa ngjitej shkallëve për të hipur në Air Force One për të udhëtuar drejt Xhorxhias, Presidenti Biden u pengua disa herë para se të rifitonte ekuilibrin dhe të vazhdonte të ngjiste shkallët e aeroplanit.

Zëvendës sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Katrine Jean-Pierre, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha: “Ai po bën 100%. Ai është mirë. … Po përgatitet për udhëtimin sot. Dhe po ia del shumë mirë”./VOA