Merkel e Biden ndahen për tubacionin Nord Steam 2

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania u zotuan që të qëndrojnë së bashku për të mbrojtur kombet lindore kundër agresionit rus.

Në vizitën e saj të lamtumirës në Uashington, Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti Joe Biden ranë dakord që Moska nuk duhet të lejohet të përdorë energjinë si armë, teksa shqetësimi amerikan kishte të bënte me gazsjellësin e diskutueshëm ruso-gjerman Nord Stream-2.

“Ne qëndrojmë së bashku dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku, për të mbrojtur aleatët tanë të krahut lindor në NATO kundër agresionit rus. Përsërita shqetësimet e mia në lidhje me tubacionin Nord Stream 2”.

Pavarësisht minimizimit të diferencave në qëndrime me SHBA-në, Kancelarja Merkel theksoi se gazsjellësi ishte një projekt shtesë dhe se nuk synon aspak zhvendosjen e tubacioneve të Ukrainës.

“Kemi pikëpamje të ndryshme për këtë projekt. Por unë dua ta bëj shumë të qartë, vizioni ynë ishte dhe mbetet që Ukraina është një vend tranzit për gazin natyror. Ukraina ka të drejtë si çdo vend për të ruajtur sovranitetin territorial.”

Heqja e kufizimeve për shtetasit europianë që të udhëtojnë drejt SHBA-ve, marrëdhëniet me Kinën, si dhe çështja e Ballkanit Perëndimor ishin disa nga temat në axhendën e vizitës së lamtumirës së kancelares Merkel.

Kjo vizitë e saj është komentuar si rivendosje e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, pas tensioneve të shkaktuara gjatë mandatit të ish-Presidentit Trump.

Tv Klan