Ish-Presidenti fajësoi Biden për vdekjen e një 22-vjeçare amerikane në SHBA

Fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 filloi në shtetin e Georgia-s, aty ku gara u ndal në vitin 2020.

Ky shtet favorizoi  presidentin Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe ishte në qendër të pretendimeve të Donald Trump se pati manipulime. Për herë të parë këtë vit, ata u gjendën njëkohësisht në këtë shtet të rëndësishëm për betejën zgjedhore.

Siç ka bërë në fjalimet e fundit, Trump  përdori mitingun e mbajtur në qytetin e Rome në Georgia për të folur rreth situatës së emigracionit. Ai fajësoi Biden për vdekjen e Laken Riley, një studente 22-vjeçare të  infermierisë, e cila u vra muajin e kaluar nga një shtetas venezuelian teksa ecte në një kampus.

“Biden ka implementuar një politikë që atyre që  u jep të drejtën atyre hyjnë ilegalisht në vendin tonë të mos dëbohen. Kjo ishte  edhe koha kur ky përbindësh u shfaq në kufirin tonë”, tha ai.

Edhe Biden vijoi me sulmet ndaj Trump  duke u bërë thirrje amerikanëve se me rikthimin e tij në pushtet, rrezikohet demokracia amerikane.

“Më thuaj me kë rri të të them kush je. Dje ai priti priti Viktor Orban i cili mendon se demokracia nuk funksionon. E quajti atë një udhëheqës fantastik. Seriozisht?”, tha Biden.

Vetë Biden vazhdon të përballet me një reagim të ashpër midis demokratëve për mbështetjen e tij ndaj Izraelit në luftën kundër Hamasit, pakënaqësi që mund të shfaqet edhe në betejën zgjedhore në këtë shtet.

Klan News