Dy udhëheqësit u takuan para samitit të G20

Presidenti amerikan Joe Biden dhe Presidenti francez Emmanuel Macron, u takuan në Romë, për herë të parë që kur marrëdhëniet mes dy vendeve shënuan pikën më të ulët pas marrëveshjes për nëndetëset me Australinë.

Para bisedimeve kokë më kokë, dy udhëheqësit folën për disa minuta me gazetarët dhe Presidenti Biden e pranoi se SHBA-ja nuk veproi në mënyrën e duhur, lidhur me marrëveshjen e nëndetëseve.

Unë mendoja se Franca ishte informuar prej kohësh që marrëveshja do të dështonte”, tha Biden, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të vjetër dhe më besnik se Franca.

Nga ana e tij, Presidenti Macron e cilësoi takimin si fillimin e rivendosjes së besimit mes dy vendeve. Ai tha se takimi i tij me presidentin Biden ishte “i rëndësishëm” dhe thelbësor “të shikohej nga e ardhmja” ndërsa dy vendet punojnë për të riparuar marrëdhëniet.

Marrëdhëniet mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara arritën një pikë të ulët pasi Presidenti Joe Biden njoftoi një marrëveshje sigurie me Australinë dhe Britaninë, sipas së cilës Australia do të marrë të paktën tetë nëndetëse me energji që do të ndërtohen në vend duke përdorur teknologjinë amerikane.

Takimi i së premtes u zhvillua në Vilën Bonaparte, seli e ambasadës franceze në Vatikan, një lëvizje tjetër simbolike kjo e shprehjes së vullnetit të mirë, pasi zakonisht takime të tilla dypalëshe bëhen në mjedise neutrale.

Presidenti Biden ndodhet në Itali për të marrë pjesë në takimin e G20-s me fokus ndryshimet e klimës dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së Covid-19.

Më herët Presidenti Biden takoi Kryeministrin italian Mario Draghi. Shtëpia e Bardhë tha se takimi rikonfirmoi marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe se Presidenti Biden falenderoi Kryeministrin italian për udhëheqjen e tij personale të G20 gjatë një viti sfidash globale.

Udhëheqësit diskutuan mbi sfidat e sigurisë në rajonin e Mesdheut dhe rikonfirmuan rëndësinë e përpjekjeve të NATO-s për të frenuar dhe për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve nga çdo drejtim strategjik.

Presidenti Biden u takua gjithashtu me Presidentin italian Sergio Mattarella, ndërsa vizitën 5-ditore në Europë e filloi me një vizitë në selinë e shenjtë në Vatikan me Papa Franceskun.

Klan News