Biseda telefonike u përqendrua në blerjen e F16 nga Ankaraja ndërsa SHBA kërkon anëtarësimin e Suedisë në NATO

Presidenti amerikan Joe  Biden ka telefonuar presidentin turk Erdogan, menjëherë pas rizgjedhjes së tij.  Biseda mes tyre dha sinjalet e para se lidhjet SHBA-Turqi do të përmirësohen. Biden u shpreh se  Uashingtoni si fillim dëshironte që Ankaraja të hapte dritën jeshile për anëtarësimin e  Suedisë në

“Unë fola me Erdoganin. E përgëzova atë për fitoren. Erdogani ende dëshiron të bisedojmë për blerjen e avionëve luftarakë F16. Por si fillim i thashë se donim një marrëveshje për Suedinë, kështu që me njëri-tjetrin do të bisedojmë sërish.”

I pyetur nëse ai priste ndonjë lëvizje nga Erdogan për anëtarësimin e Suedisë në NATO, Biden u shpreh se bisedimet do të nisin javën e ardhshme. Presidenca turke në një deklaratë tha se të dy liderët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në të gjitha aspektet.

Turqia ka kërkuar të blejë F-16 në vlerë 20 miliardë dollarë nga Shtetet e Bashkuara. Por shitja është ngecur për shkak të kundërshtimeve nga Kongresi i SHBA- së pas mosmarrëveshjes për sistemin anti raketor rus S-400.  Një grup dypartiak senatorësh në një letër drejtuar Bidenit në shkurt të këtij viti  u shprehën se refuzimi i Turqisë për të ratifikuar protokollin e pranimit për Suedinë do të vinte në pikëpyetje shitjen e avionëve luftarakë F-16.

Turqia ratifikoi pranimin e Finlandës në NATO në fund të marsit, por ka vazhduar të kundërshtojë Suedinë, duke thënë se Stokholmi strehon anëtarë të grupeve militante që i konsideron si terroristë. Hungaria gjithashtu nuk e ka miratuar ende ofertën e Suedisë.  Për Uashingtonin anëtarësimi i Suedisë në NATO kur aleanca do të mbajë një samit të liderëve në Lituani është ndër prioritetet kryesore.

Klan News