Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë gjithçka të mundur për të parandaluar shpërthimin e një lufte të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli dhe Libani vijuan me shkëmbimin e zjarr me artileri të rëndë.

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të parandaluar shpërthimin e luftës, po i nxisim palët fort,” u tha Biden gazetarëve ndërsa kthehej në Shtëpinë e Bardhë.

Por pavarësisht përpjekjeve diplomatike, Hezbollahu dhe Izraeli shkëmbyen zjarr artilerie të rëndë të dielën. Grupi militant libanez lëshoi breshëri raketash thellë në territorin verior izraelit pasi u përball me disa prej bombardimeve më intensive në pothuajse një vit konflikti.

Zëvendës/shefi i Hezbollahut, Naim Qassem, tha në funeralin e një prej komandantëve të vrarë të grupit se tani ” kemi hyrë në një fazë të re, lufte.”

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se operacionet do të vazhdojnë derisa të garantohet siguria e jetës në pjesën veriore të vendit. Edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Herzi Halevi, tha në një deklaratë televizive se ushtria është e përgatitur mirë për fazat e ardhshme të luftimeve.

“Ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të hequr kërcënimet ndaj Izraelit,” tha Halevi.

Konflikti – i cili është përshkallëzuar ndjeshëm javën e kaluar – është ndezur që kur Hezbollahu hapi një front të dytë kundër Izraelit, me pretendimin se po vepron në mbështetje të palestinezëve në Gaza.

Të martën dhe të mërkurën, shpërthyen mijëra pager dhe radiomarrëse të përdorur nga anëtarët e Hezbollahut. Të nesërmen, Izraeli nisi bombardimet intensive.

Klan News