Protestat në Iran nuk janë ndalur që pas vdekjes së një 22-vjeçareje

Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje liderëve në Iran që të ndalin dhunën kundër qytetarëve të tyre.

“Dua që ju të dini se ne qëndrojmë me qytetarët dhe gratë e guximshme të Iranit. Të cilët tani po demonstrojnë për të siguruar të drejtat e tyre themelore. Gratë dhe burrat duhet të kenë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe tubimit. Gratë në të gjithë botën po persekutohen në mënyra të ndryshme. Por ato duhet të jenë në gjendje të veshin atë që ato duan”, tha Biden.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ishte i shtangur nga protestat masive në Iran, të cilat shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim, e cila ishte ndaluar nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

“Unë kam bërë politikë të jashtme për një kohë të gjatë. Më habiti ajo që vdekja e saj zgjoi në Iran. Është zgjuar diçka që nuk mendoj se do të qetësohet për një kohë të gjatë.”

Protestat në Iran janë duke vazhduar, përkundër shtypjeve vdekjeprurëse nga policia. Së fundmi një video, në të cilën dyshohet se forcat e sigurisë në Iran sulmojnë seksualisht një protestuese gjatë përpjekje për arrestimin e saj ka provokuar zemërim në rrjetet sociale.

Dhjetëra video të protestave janë bërë virale, si brenda, ashtu edhe jashtë Iranit. Grupet për të drejta të njeriut kanë thënë që më shumë se 200 persona janë vrarë prej kur kanë nisur protestat më 17 shtator.

Klan News