Vuçiç: Nuk duan marrëveshje, por të na poshtërojnë

Çështja e Kosovës ka shkaktuar polemikat e para mes administratës së re të Je Biden në Uashington dhe Beogradit. Në të parën letër që i dërgon homologut serb Aleksandër Vuçiç ku e uron për Festën kombëtare të Serbisë, presidenti amerikan i bën thirrje që të njohë shtetin e Kosovës, por duke përdorur një gjuhë  të kujdesshme.

“Ju inkurajojmë të vazhdoni të ndërmerrni hapa të vështirë për të arritur atë qëllim – integrimin evropian – përfshirë realizimin reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, të përqendruar në njohjen e ndërsjelltë”.

Letra mban datën 5 Shkurt, por u bë publike nga mediat këtë të Diel. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç iu përgjigj shefit të Shtëpisë së Bardhë pasi mori pjesë në stërvitjen ushtarake të quajtur “Majat e Shtizës” në Pançevë, një qytet në lindje të Beogradit.

“E kam marrë urimin dhe e falënderoj. Sa i përket njohjes së ndërsjelltë, ajo nuk përmendet në asnjë akt. Ne e kuptojmë se kjo është politikë e re amerikane. Ka pasur përpjekje për të imponuar këtë frazë. Ua kam thënë në fytyrë se çfarë mendoj për këtë dhe qëndrimi im nuk do të ndryshojë. Është e qartë se qëllimi i tyre nuk është arritja e një marrëveshjeje por poshtërimi deri në fund i Serbisë”.

Joe Biden ka qenë gjithnjë një prej zërave më të fuqishëm në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe si zv/president e ka vizituar këtë vend në 2009-ën. Letra e tij vjen menjëherë pasi ai shpalli rikthimin e Shteteve të Bashkuara si faktor kryesor në arenën globale.

Tv Klan