Në SHBA brenda dy javësh janë katërfishuar infektimet

Presidenti Joe Biden u shpreh i zhgënjyer mbi ngadalësimin e nivelit të vaksinimit kundër COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Duke folur gjatë një takimi me pyetje-përgjigje nga publiku në shtetin e Ohajos, Presidenti Biden tha se pandemia është kthyer kryesisht në një problem tek të pavaksinuarit.

Ndaj ai u shpreh se është “tejet e rëndësishme” për amerikanët që të vaksinohen kundër virusit ndërsa infeksionet po rriten përsëri.

“Ne kemi një pandemi mes atyre që nuk i kanë bërë vaksinat është kaq e thjeshtë. Nëse jeni të vaksinuar, nuk do të shtroheni në spital, nuk do të futeni në njësinë kujdesit intensiv dhe nuk do të vdisni. Pra është tejet e rëndësishme që ne të gjithë të veprojmë si amerikanë që të kujdesemi për njëri-tjetrin”.

Presidenti gjithashtu shprehu optimizëm se në muajt e ardhshëm autoritetet do ta miratojnë vaksinën për përdorim edhe tek fëmijët nën moshën 12 vjeç.

Deklaratat e Biden vijnë në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara rastet me Covid-19 janë katërfishuar gjatë dy javëve të fundit. Të mërkurën Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan 56 mijë raste të reja nga më pak se 13,700 që kishin në 6 Korrik.

Pak ditë më parë edhe zyrtarë shëndetësor të administratës amerikane vunë në dukje se gati të gjitha rastet e vdekjeve në SHBA për shkak të Covid po ndodhin tek personat e pavaksinuar.

Vet kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri përgjegjëse për nivelin e ulët të vaksinimeve edhe rrjetet sociale, të cilat nëpërmjet publikimit të lajmeve të pavërteta rreth vaksinave po nxisnin amerikanët të mos vaksinoheshin.

Tv Klan