Administrata e presidentit amerikan Joe Biden është e vendosur për të mbajtur në fuqi sanksionet ndaj Turqisë për blerjen e sistemit kundër raketor rus S-400. Madje nënsekretarja e Shtetit, Victoria Nuland i tha të mërkurën Kongresit se sanksionet mund të shtohen nëse Ankaraja vijon blerjen e të tjera armatimeve nga Rusia.

“Pavarësisht se punojmë bashkë për disa çështje, presidenti Biden ia ka bërë të qartë presidentit (Recep Tayyip) Erdogan. Ne do të vijojmë të kundërshtojmë dislokimin e sistemit kundër raketor rus S-400. Gjithashtu ia kemi bërë të qartë Ankarasë se në rast të blerjes së armatimeve të reja do të shtohen sanksionet. Do të vijojë të jetë e ndaluar shitja dhe prodhimi i avionëve luftarakë F-35.”

Sanksionet amerikane përfshijnë ndalimin e eksporteve ndaj agjencisë turke që merret me fuqizimin e industrisë kombëtare të mbrojtjes dhe ngrirjen e aseteve financiare të drejtuesve të saj.

Sanksionet u vendosën nga administrata e ish-presidentit Donald Trump. Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Mike Pompeo, tha se SHBA-ja nuk mund të tolerojë aleatët e NATO-s, përfshirë Turqinë, që të lidhin marrëveshje me Rusinë për blerjen e pajisjeve për sektorët e mbrojtjes dhe zbulimit.

Turqia vazhdimisht e ka quajtur të padrejtë vendimin e SHBA-së dhe kërkon që çështja të adresohet me dialog dhe diplomaci duke marrë parasysh aleancën mes dy vendeve.

Rusia iu bashkua kritikave ndaj Uashingtonit duke i cilësuar sanksionet një tjetër qasje arrogante ndaj së drejtës ndërkombëtare. Në krah Ankarasë doli edhe Irani. Turqia ka marrë në dorëzim sistemin rus të mbrojtjes ajrore pasi një marrëveshjeje 2 miliardë e gjysmë dollarë me Kremlinin.

Klan News