Kur duhen edhe 2 vjet nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, gara për të nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë Donald Trumpin, duket se po merr formë. Ish-zv/Presidenti amerikan Joe Biden me gjasë do të shpallë kandidaturën e tij për presidencialet 2020. Gjatë prezantimit të librit të tij, ish-zëvendësi i Barak Obamës lëshoi një deklaratë që la shijen e kandidaturës në mediat amerikane.

“Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme. Karakteri i vërtetë i vendit tonë është në lojë. Dua të jem i drejt me ju, besoj se jam personi më i kualifikuar në vend për t’u bërë President.”

Ish-numri 2 i Shtëpisë së Bardhë, me një karrierë të gjatë në politikë, përflitet prej kohësh si kandidat i demokratëve për President. Edhe gjatë zgjedhjeve të 2016-ës, mediat e shihnin si një kandidat të mundshëm bashkë me Hillary Clintonin, por në fund Biden vendosi të tërhiqet. Atë vendim për të bërë mënjanë, e kam peng çdo ditë, thotë ai.

Pak javë më parë u fol edhe për një rikandidim të Hillary Clintonit për Shtëpinë e Bardhë. Nga ana tjetër, në radhët e republikanëve, Presidenti Donald Trump e ka shprehur hapur që do të kërkojë një mandat të dytë, ndërsa përflitet gjithashtu për një zv/President, pikërisht ai aktual, Mike Pence, i cili për nga figura dhe pëlqimi në publik, shihet si kandidat potencial për të pasuar shefin e tij.

Tv Klan