I nominuari për President nga Partia Demokratike, Joe Biden, ka kritikuar sjelljen e Presidentit të SHBA, Donald Trump pas daljes nga spitali.  Biden shrprehet se Trump nuk ka dhënë mesazhin e duhur tek qytetarët, duke u thënë të mos kenë frikë nga COVID-19.

Kandidati për kreun e Shtepisë së Bardhë shprehet se heqja e maskës nga Trump dhe mosmbajtja e distancës, nuk ishin veprime të duhura pasi ai ende nuk është shëruar dhe mund të transmetojë virusin tek të tjerët.

Më tej Biden, siç citohet nga mediat ndërkombëtare, është shprehur se është i lumtur që Presidenti i SHBA po përmirësohej.

Unë do të shpresoja që presidenti, pasi kishte kaluar atë që kaloi, do t’i komunikonte mesazhet e duhura qytetarëve. Maska ka rëndësi. E vetmja gjë që dëgjova ishte një nga reagim i tij që thoshte se nuk duhet të shqetësohej askush për virusin. Situata është shumë shqetësuese, 210 mijë amerikanë kanë vdekur nga ky virus”, u shpreh Biden.

Reagimi vjen pasi Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë, pas një qëndrimi tre ditor në spital. Presidenti i SHBA ka përshëndetur qytetarët nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë, por ai është parë pa maskë dhe nuk ka zbatuar rregullat e COVID-19./tvklan.al