Presidenti amerikan tha se Putin dështoi në Ukrainë, ekziston ende zgjidhja diplomatike mes Izraelit dhe Hezbollahut

Presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua për herë të fundit udhëheqësve botërorë në Kombet e Bashkuara, ku nënvizoi se lufta e Rusisë në Ukrainë ka dështuar dhe se një zgjidhje diplomatike midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban është ende e mundur.

Biden-i u përpoq të qetësojë tensionin në Lindjen e Mesme, ndërsa lufta gati njëvjeçare midis Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamas-it në Rripin e Gazës tani kërcënon të përfshijë edhe Libanin, ku Izraeli shënjestroi vetëm brenda një dite, mbi një mijë objektiva të Hezbollahut.

“Lufta nuk është në interesin e askujt, edhe nëse situata është përshkallëzuar, një zgjidhje diplomatike është ende e mundur.”

Mes duartrokitjesh, Biden-i i bëri thirrje Izraelit dhe Hamasit që të finalizojnë armëpushimin në Gaza dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve.

Presidenca e Bidenit është dominuar gjithashtu nga lufta e Rusisë në Ukrainë. E ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ndodhej në sallën e asamblesë për të dëgjuar fjalimin, Biden-i theksoi mbështetjen e ShBA-së për vendin e tij.

“Lajmi i mirë është se lufta e Putinit ka dështuar në qëllimin e saj thelbësor. Ai u nis për të shkatërruar Ukrainën, por Ukraina është ende e lirë. Ne nuk mund të lodhemi, nuk mund të bëjmë sikur nuk shikojmë dhe nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja jonë për Ukrainën, derisa Ukraina të fitojë me një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”

Të enjten, presidenti Biden do të dëgjojë nga vetë Zelenskiy planin e ri të paqes. Një zyrtar amerikan tha se plani duket shumë i ngjashëm me planet e mëparshme që e vë theksin tek shtimi i armatimit dhe mbështetjes për luftën e Ukrainës.

Biden lëshoi gjithashtu fjalë të ashpra ndaj palëve ndërluftuese të Sudanit: “Të jepni fund kësaj lufte tani,” kërkoi presidenti amerikan.

Këtë herë të fundit në karrierën e tij politike përpara udhëheqësve botërore, Bideni duke iu referuar vendimit të tij për të mos garuar për një mandat të dytë kujtoi: Popujt janë ‘më të rëndësishëm se sa qëndrimi në pushtet.

Pas kreut amerikan, tek gjendja e rënduar humanitare në Gaza dhe lufta e saposhpërthyer në Liban u ndal edhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Ai ishte më i ashpër në fjalimin e tij, ku e krahasoi kryeministrin izraelit Beniamin Netanjahu me Hitlerin.

 “Ashtu siç Hitleri u ndal 70 vjet më parë nga aleanca e njerëzimit, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjes duhet ndaluar nga aleanca e njerëzimit. Çfarë prisni për të ndaluar rrjetin e masakrës që tërheq të gjithë rajonin në luftë për të ardhmen e tij politike?

Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterrez në fjalën e tij tha se popujt e Libanit, të Izraelit dhe mbarë bota nuk mund të lejojnë që Libani të bëhet një tjetër Gazë.

Klan News