Presidenti i SHBA ka anuluar urdhrin e Trump për financimin special.

Presidenti amerikan Joe Biden ka ndërprerë finacimin e ndërtimit të murit në kufi me Meksikën. Presidenti ka anuluar urdhërin e emergjencës kombëtare i cili do ti jepte mundësi financimit të murit, një propozim dhe premtim i fushatës presidenciale të Trump në vitin 2016. Biden është shprehur se ky urdhër ishte i pajustifikueshëm, duke theksuar se nuk do të shpenzohet asnjë dollar nga tatimet më tej për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën.

Sipas burimeve zyrtare, javën që vjen qeveria amerikane do të nisë gradualisht trajtimin e azilkërkuesve që janë detyruar të presin në Meksikë.

Këto lëvizje janë një plan nga adminitrata e presidentit Joe Biden, për ti dhënë fund programit të njohur si “Protokolli i mbrojtjes së emigrantëve”, një përpjekje që është vështirësuar nga pandemia e koronavirusit dhe shqetësimet mbi emigracionin e paligjshëm.

Ish presidenti Trump kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin jugor të vendit në 2019, duke anashkaluar kongresin për fonde ushtarake për ndërtimin e murit. Që nga largimi i Trump nga detyra e deri më tani janë shpenzuar 25 milionë dollarë për këtë projekt. Gjatë kohës së Trump u ndërtuan 80 milje barriera të reja, atje ku nuk kishte më parë dhe pothuajse në 400 milje zëvëndsuan pjesën ekzistuese të strukturës.

Klan News